Dhjetë vjet pritje për Romën, 11 vjet pritje për Italinë!

Për herë të fundit në çerekfinale kishte qenë në sezonin 2007-2008. Roma ia doli të kthehej sërish aty, këtë herë jo me legjendën Françesko Toti, por me sulmuesin e shquar boshnjak, Edin Xheko. Shtatlarti zgjidhi përballjen me Shahtarin (Shahtjorin në ukrainisht) e Donjeckut, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes, dhe romanët ia dolën me rrjetë në fushë kundërshtare, pas barazimit të golaverazhit në 2-2.

Nuk ishte një ndeshje e bukur futbolli, me të dyja skuadrat që u ruajtën për të mos pësuar gol, dhe me portierin e Romës, Alison që ishte thuajse spektator, edhe pse ukrainasit patën disa mundësi në pjesën e parë dhe ushtruan presion pas pësimit të golit në minutën e 52-të. Ishte goli i katërt i Xhekos në këtë sezon të Championsit, po aq sa rekordi që ka me Volfsburgun, ishte po hera e katërt në histori që Roma arrin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Nuk dihet nëse do të ketë marshimin triumfal të Romës së vitit 1984 që arriti deri në finale, dhe u mund me penallti nga Liverpuli, duke pasur në përbërje Tankredin, Rigetin, Falkaon, Serezon, Bruno Kontin, Di Bartolomeon, Prucon apo Gracianin.

Nëse Roma priti 10 vjet për çerekfinalet, Italia priti 11 vjet për të pasur dy skuadra në 8 më të mirat e Championsit, pasi më parë u kualifikua Juventusi. Në 2007, kur ndodhi kjo gjë, ishte Milani që fitoi Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al