Hip këtu dhe shih Stambollin… në Turqi qenka bërë leku letër

Në mënyrë që institucionet të cilat drejtojnë futbollin, të vazhdonin të na lejonin të luanim në arenën ndërkombëtare, FSHF i dha vetes atributet e një firme ndërtimi dhe rikonstruktoi dy stadium ekzistuese të vendit. Më pas, “Ruzhdi Bizhuta” u quajt “Arenë” dhe iu dërgua një drejtor nga Tirana, ndërsa për “Loro Boriçin” plasi një sherr që kishte protagonist “pronarët” e futbollit në Shqipëri dhe drejtuesit e pushtetit lokal në Shkodër. Por kjo ishte vetëm faza e parë, ndërsa menjëherë pas saj erdhën pasojat edhe për tifozët në përgjithësi, të cilëve futbollin më të lirë për nga cilësia, ia bënë absolutisht më të shtrenjtin në rajon, aq sa të kërcasin dhëmbët kur të vënë përpara çmimet e biletave. Për këdo që na vjen për një 90 minutësh futboll jemi të detyruar të paguajmë çmime të tmerrshme, për të qenë komod në stadium, me ndryshimin e vetëm, se nëse na viziton Danimarka na takon vetëm bileta, ndërsa nëse vjen Andorra mund të përfitosh edhe një bluze të pluhurosur të Kombëtares, të nxjerrë nga magazinat e Kamzës.

Për të bërë një krahasim midis makutërisë së tanëve me pjesën tjetër të rajonit, le të zhvendosemi në Stamboll. Federata Turke e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen Turqi – Shqipëri, që do të luhet në stadiumin e Fenerbahçesë. Ky është një impjant që ka kushtuar 106 milionë dollar, ndërsa sektori ku tifozët shqiptarë mund të qëndrojnë të organizuar do të kushtojë vetëm 7000 lekë të vjetra. Ndërkohë që këtë ndeshje kaq të rëndësishme për vendasit, mund ta ndjekësh pa u menduar shumë në të gjithë sektorët e stadiumit, pasi për të gjitha llojet e bilave çmimet janë ekstremisht ekonomike. Në Kategorinë e Parë, që është shënuar me të kuqe, bileta kushton 90 lira, që do të thotë 17 mijë lekë të vjetra dhe rreth 100 mijë lekë më pak se në “Elbasan Arena”. Në sektorët e tjerë, çmimet variojnë nga 9 mijë lekë, deri në 390 lekë të vjetra që është edhe sektori pas portave. Dhe ka vetëm një arsye pse ekziston e gjithë kjo diferencë çmimesh. Atje kanë respekt për të gjitha kategoritë e tifozëve, jo sipas statusit të tyre social dhe pothuajse të gjithëve u ofrohen shanse pothuajse të barabarta për të ndjekur skuadrën e tyre përfaqësuese. Ndërsa ne, së shpejti do të transferohemi tek “Arena” e re, ajo që është ndërtuar në vendin e “Qemal Stafës”. Atje nuk do të ketë më as bileta të shoqëruar me ndonjë bluze të vjetër, por çmime biletash, ku do të kesh të përfshirë edhe një vakt me sushi. Diferenca është, se këto ditë edhe mund të jemi në Stamboll, ndërsa kur të kthehemi… hip këtu dhe shih Stambollin.