Konte mendon se Interi meritonte fitoren në “Kamp Nou”, tani le të mundë Juven!

U godit në momentin më të mirë, diçka që ndodh kur je përballë një skuadre me përvojë të madhe, dhe kur vetë je shumë larg kësaj eksperience. Një Inter entuziast, i fortë dhe me shëndet të mirë u vu përballë një “dhelpre të vjetër” si Barcelona dhe humbi. Antonio Konte e dinte se kjo Barçë nuk është ajo e shkëlqyera e viteve të kaluara, por sërish është i bindur se eksperienca ndryshoi gjithçka.

“Mendoj se meritonim shumë më tepër nga kjo ndeshje, – u shpreh trajneri i Interit pas duelit të Championsit, – e vumë në vështirësi një skuadër të madhe si Barça për një kohë të gjatë. Ndoshta, disa nga lojtarët tanë patën më pak energji pas pushimit, sepse kemi luajtur shumë ndeshje të forta këtë periudhë. Gjithsesi, jam i bindur se meritonim shumë më tepër, por e patëm fajin vetë që nuk e mbyllëm ndeshjen në pjesën e parë”.

Konte u shqetësua nga arbitri, por edhe nga gjendja fizike e lojtarëve të tij. Ai protestoi dhe u shpreh pas takimit se “pashë disa gjëra që nuk më pëlqyen, u trajtuan jo siç duhet, ndërsa ne kërkojmë respektin e duhur”. Për lodhjen e lojtarëve, ai është më shumë i alarmuar sepse nuk ka një stol tepër të fortë dhe disa nga titullarët kanë luajtur në të gjitha ndeshjet e deritanishme. Kjo ndoshta mund të prishë punë në duelin e fundjavës në Serinë A ndaj Juventusit. Konte shpreson që të vazhdojë me fitoret në kampionat.

Sfidanti.al