Frika nga humbja, skuadrat shqiptare po refuzojnë futbollin

Futbolli ynë është përshtatur më së miri me këtë kohë pandemie, sa që pas kthimit nga bojkoti, duket se nga frika mos i sëmuren mushkritë, i kanë vënë një maskë të hekurt që po i merr frymën. Tashmë për të sajuar histori me progrese është hedhur në treg një alibi interesante, e cila kulmoi me derbin. Thuhej se skuadrat po tregoheshin shumë të kujdesshme, pasi nuk duan të humbasin dhe kështu pamë një Tirana – Partizani me dy goditje në portë, me dy legjendat tona në fushë, të cilat nga frika nuk luajtën fare futboll. Të djelën, Vllaznia – Partizani dhe për skuadrën nga kryeqyteti na sollën në vëmendje se është mbrojtja më e mirë, pasi që nga ndeshja e parë, nuk kishte pësuar më asnjë gol. Ndërkohë që pas derbit, erdhi një tjetër barazim 0-0 me Teutën dhe asnjë gol i shënuar edhe në Shkodër. Dhe duke pasur parasush që Partizani ka mungesë kontigjenti në mbrojtje, por sulmues me shumicë, këto janë shifra alarmante. Të mjaftohesh me një shëtitje 90 minutëshe, vetëm për të mos dalë i humbur, kjo do të thotë që skuadrat tona ose janë rrethuar nga një presion i jashtëzakonshëm, ose janë të gatshme të shpikin një lloj futbolli që nuk ekziston askund tjetër.

Teuta fillimisht entuziazmoi me merkaton, duke dhënë përshtypjen, se nuk do të vuante më për golin ashtu si sezonin e kaluar, por në të kundërtën, situata është rënduar. Ekipi nga Durrësi nuk është mundur asnjëherë gjatë këtyre tetë javëve, por nga ana tjetër ka fituar vetëm një ndeshje dhe ka shënuar vetëm katër herë. Dhe kështu që kujdesi i tepër me shtatë barazime i ka sjellë shumë pak pikë, si dhe ka shërbyer për t’i prishur imazhin në sytë e kundërshtarëve.

Ndërsa Vllaznia është ndryshe, madje duket si jashtë këtij realiteti, sepse e kanë lënë të luajë futboll. Shkodranët u kritikuan pas humbjes me Kukësin, pikërisht për faktin se nuk po tregohen pragmatistë, pra që kanë dalë jashtë modës së këtij kujdesi ekstrem, ndërkohë që ata po prodhojnë futboll, po argëtohen, po shënojnë dhe në një farë mënyre kanë kthyer Vllazninë e munguar prej vitesh. Kjo është thjeshtë lojë dhe jo luftë, për të pasur frikë të dalësh nga llogorja…