Për herë të parë dy barazime radhazi në 2020, ç’ndodh me Bajernin?!

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë këtë vit në kampionatin gjerman, por ja që u provua pikërisht në ditët e tij të fundit. Pas barazimit 3-3 në Mynih me Lajpcigun, Bajerni u ndal në një tjetër barazim, këtë herë 1-1, në fushën e Unionit të Berlinit dhe menjëherë nisën analizat e dyshimet. Dy nga yjet e skuadrës, Manuel Nojer dhe Tomas Myler, deklaruan se nuk ka kuptim që bavarezët të gjejnë justifikime, por kuptohet që diçka nuk shkon.

“Ne mund të kishim pësuar edhe një gol të dytë, – thotë kapiteni Nojer, – ne nuk ishim mirë në minutat e para. Natyrisht pas pushimit ishim më lart, por kjo nuk mjafton. Nuk patëm vetëbesimin e zakonshëm, as lojën tonë tipike dhe u përpoqëm me topa të gjatë. Kjo nuk më pëlqeu. Duket se do të jetë një sezon i vështirë, por nuk mund të flasim për lodhjen sepse në mesjavë në Champions luajtëm thuajse me formacion tjetër”.

Myleri, një tjetër kapiten, pranon ndershmërisht se “Unioni e meritoi pikën, ndërsa ne po pësojmë si tepër shpesh gola, dhe po kalojmë në dizavantazh me lehtësi”. “Ne e kemi forcën dhe cilësinë për të reaguar, por në kushte të tilla jo gjithmonë mjafton për të fituar”, – shton Myleri. Grisha Promel kaloi Unionin në epërsi në 4’, ndërsa Levandovski barazoi në 67’. Bajerni ka 24 pikë në renditjen e Bundesligës, Lajpcigu 24, Leverkuseni 22, Volfsburgu 21, Dortmundi 19, Union Berlini 17.

Sfidanti.al