Nuk mund të luajnë gjithnjë më të mirët, dhe të tillë ky ekip nuk ka aq shumë. Milani, i mbetur pa Ibrahimoviçin dhe Kjerin, dhe me disa lojtarë të rëndësishëm në stol, nuk mundi të shkëpuste fitoren në ndeshjen e radhës në Serinë A. Përfundoi 2-2 ndaj Parmës në “San Siro”, që rikujtoi se ky ekip është ende tepër i ri në këto pretendime, pavarësisht pikëve të shumta që ka mbledhur deri tani.
Trajneri Pioli i hodhi vetëm në pjesën e dytë Tonalin (75’), Haugen (46’) dhe Rafael Leaon. Duke pasur vetëm Ante Rebiçin si sulmues të deklaruar, Benaser, Kesi, Diaz e Çalhanoglu nuk shtynë dot sa duhet. U desh një mbrojtës si Teo Hernandez që të vendoste barazpeshën në minutat 58 e 91, ndërsa Hernani e Jasmin Kurtiç i kishin dhënë epërsinë 2-0 emilianëve. “Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, – tha Pioli, – ne jemi ekip i ri, dhe nuk kemi presion, as kur fitojmë, dhe as kur nuk mundemi. Me kthimin e lojtarëve që në ndeshjen tjetër, do të jemi më të fortë”. Paolo Maldini, me përvojën e kaq shumë betejave, gjithashtu heq trysninë ndaj lojtarëve. “Ne nuk kemi asnjë pretendim ndaj djemve tanë, – shprehet ish-kapiteni, – do të vazhdojmë të rritemi”. Milani ka 27 pikë pas 11 javësh të Serisë A, ndaj 24 të Interit.
Sfidanti.al