Bojkot dhe arrogancë, edhe kategoria e Parë ka mbetur në “tako”…

Dje kanë përfunduar zyrtarisht aktivitetet europiane për tre nga skuadrat tona dhe na ka mbetur në garë vetëm Tirana, qoftë edhe për hir të zemërgjerësisë së goglave të shortit. Ndërkohë, duket sikur na ka mbaruar futbolli, pasi prej kohësh është vendosur një bojkot që na ka gëlltitur kampionatin, aq më shumë që vetë nocioni po merr trajta shumë të çuditshme. Presidenti Libohova nuk prononcohet më, ndërsa të mandatuarit e Ligës nuk pranon të bisedojë me askënd, përveçse me kryeministrin e vendit. Dhe bojkoti i Superiores që filloi me tone të ashpra dhe kërkesa ultimative ka tendenca që të kthehet në një shoë. Nesër parashikohet që të gjitha skuadrat të zbresin në fushë, sipas kalendarit të javës së dytë të kampionatit, në stadium do të lexohen katër kërkesat e Ligës dhe të gjithë do të shpërndahen. Ndërsa si për ironi, gjatë javës në vijim do të vazhdohet të flitet për merkato të nxehtë shumë-milionëshe dhe dikush do të krekoset që e ka lënë topin në portën e kryeministrisë, megjithëse ky lloj objekti nuk është krijuar për të qëndruar në asfalt.

Veçse, tashmë duket qartë që futbolli ynë nuk është çështje bojkoti për hir të atyre katër pikave shumë të diskutueshme, por thjesht është urdhëruar që të ndalojë. Këtë fundjavë do të duhej të fillonte Kategoria e Parë, që nuk ka lidhje me Ligën dhe nuk ka bojkotuar asgjë, por që FSHF e ka rreshtuar me detyrim në krahun e grevistëve, duke mos i përcaktuar kalendarin, madje as skemën e garës. Për këtë të fundit, tani flitet se do ndryshojë, megjithëse vendime të tilla duhet të merren me deomos që një vit më përpara. Kështu, një kategori më poshtë, nuk do të kemi më dy grupe të përbëra nga 9 skuadra siç ishte parashikuar, por 16 skuadra në një grup të vetëm, duke kthyer më në fund skemën klasike me ndeshje vajtje-ardhje. Por gjithsesi, mënyra e “faktit të kryer”, pa u konusltuar për asnjë minutë as me klubet që do të marrin pjesë në aktivitet dhe përjashtimi i skuadrave me standarte të dyfishta është një brutalitet despotik… ashtu si edhe bojkoti i Superiores, meqenëse ka të njëjtën adresë.