Trajneri i Shqipërisë dhe i Kosovës, nga “guna” tek puna!

Nëse dëshiron të vlerësosh dikë nëse është apo jo trajner futbolli, duhet të shikosh karrierën. Në kombëtaren shqiptare kanë qenë, të paktën, 2 apo 3 të tillë në periudhën që president ka qenë Duka. Padyshim, Oto Bariç, po ashtu Josip Kuzhe dhe natyrisht Xhani De Biazi. Njerëz që në momentin që nënshkruan me FSHF-në kishin pas vetes vite të tëra në profesion, në përgjithësi të suksesshëm.

Gjithsesi, në stolin kuqezi janë ulur edhe disa emra të njohur të futbollit, por që vështirë të quhen trajnerë. Xhuzepe Dosena, Hans-Peter Brigel, Ari Han (edhe pse ka qenë tek Fejënordi, Shtutgarti, Kina e Kameruni) si dhe tani Kristian Panuçi. Natyrisht, për njeriun ka gjithnjë një herë të parë, të dytë apo të tretë, por Dosena e Brigel vështirë se patën karrierë pas Shqipërisë. Nuk dimë nëse do të ketë Panuçi.

Nëse shikon, p.sh., zgjedhjen e bërë për stolin e Kosovës, kupton ndryshimin. Fadil Vokrri zgjodhi zviceranin Bernar Shaland, një trajner që e ka filluar profesionin që në 1978, që nuk ka qenë futbollist i madh dhe nuk ka drejtuar klube të mëdhenj. Vokrri e dinte se emrat e mëdhenj të trajningut nuk do të vinin te Kosova, ndaj zgjodhi një emër më pak të shquar, por që është trajner i sprovuar.

Karriera e Shalandit është e gjatë: Iverdoni, Jang Bojsi, Serveti, Zyrihu, Sioni, Nojshateli, Tuni, Armenia, sa për të përmendur një pjesë të saj, por po ashtu Zvicra U17, Zvicra U19 e Zvicra U21. Populli nuk thotë kot, “mos i shiko gunën, por shikoji punën”.

Sfidanti.al