Reali i Madridit, momentalisht, është vënë në kërkim të një trajneri të ri, ndërkohë që është e qartë se në këtë klub do të ketë ndryshime të mëdha. Ka spekulime se Garet Bejli do të largohet nga “Bernabeu”, ndërkohë që klubi “mbretëror” shpreson që të fitojë nga shitja e tij rreth 100 milionë euro.
Duket se presidenti i Realit, Florentino Peres, nuk do ta ketë problem jo vetëm largimin e Bejlit, por edhe të vetë superyllit Kristiano Ronaldo, pasi, sikurse shkruan media spanjolle, ai i ka gjetur tanimë zëvendësuesit e tyre dhe fjala është për Eden Azarin dhe Mohamed Salahun. Emrat e të dy këtyre futbollistëve janë lidhur, së fundmi, me Realin, ndërkohë që këta të dy kanë zhvilluar sezone të shkëlqyer në Premier Ligë.
Sidoqoftë, media spanjolle shkruan, gjithashtu, se në “listën e dëshirave” të presidentit të Realit ndodhen edhe Hari Keini i Totenhemit dhe Nejmari i PSZH-së, duke qenë se Perezi synon që klubi i tij “mbretëror” ta vazhdojë dominimin në Champions, ndërsa ka ambicie që të sulmojë edhe titullin e kampionit të La Ligës sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al