Prag Real-Mançester Siti, Zidan nuk eleminohet kurrë në Champions në Madrid!

Çfarë do që të thuash mbetet një fakt. Ky njeri kurrë nuk është eleminuar në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka qenë i ulur në stolin madrilen, dhe kjo e ka një domethënie. Zinedin Zidan dhe Reali i tij nuk jepen sot favoritë për fitore ndaj Mançester Sitit, edhe pse luajnë në “Santiago Bernabeu”, por garancia më e madhe e spanjollëve është trajneri i tyre, që fitoi 3 Champions radhazi.

Padyshim, një garanci po kaq e madhe mund të quhet edhe tradita e Realit, 13 herë kampion i Europës, sidomos kur e krahason me skuadrën angleze që kurrë nuk e ka fituar këtë kupë. Për më tepër, edhe ky Madrid që sot nuk po lavdërohet, ka shënuar thuajse gjithnjë në shtëpi. Nga ana tjetër, Siti gjithnjë pëson gola jashtë fushe.

Gjithsesi, momenti duket më i mirë për anglezët që treguan forcën e tyre me fitoren në fushën e Leisterit në Premier Ligë, edhe pse nuk duket se ka shans për të mbrojtur titullin. Reali, në të kundërt, u mund papritur në fushën e Levantes në La Liga, një tronditje jo e vogël, që e zbriti nga vendi i parë. Madrilenët kanë vetëm dy mungesa për ndeshjen e sotme në orën 21:00, edhe pse njëra prej tyre është e rëndësishme, ajo e Eden Hazarit. i dëmtuari tjetër është Marko Asensio.

Siti ka pasur shumë probleme gjatë sezonit, por duket se është më i qetë në momentin e duhur. Rahim Stërling është kthyer nga dëmtimi, ashtu si mbrojtësi Ajmerik Laporte. Klubi anglez njoftoi pikërisht sot se ka apeluar në KAS përjashtimin 2-vjeçar që i bëri UEFA nga Championsi, pra morali është më i lartë.

Dy trajnerët, Zidan e Guardiola, patën fjalë lavdëruese për njëri tjetrin.

“Patjetër që të gjithë ne jemi frymëzuar nga ajo që ka bërë ai, – u shpreh Zidani për Guardiolën, – për mua, është trajneri më i mirë në botë. Ai e ka provuar gjithnjë këtë gjë. Fillimisht, me Barcelonën, pastaj me Bajernin dhe tani me Sitin. Ky është mendimi im. Ka të tjerë që mund të thonë se trajnerë të tjerë janë më të mirë, por për mua ai është numri 1”.

Ja dhe përgjigja e Pepit.

“Për futbollin është mirë që Zidani ka fituar atë që ka fituar, – shprehet katalanasi për francezin, – ishte një nder i madh që ai erdhi në Mynihm, kur unë isha trajner i Bajernit, dhe na ndoqi. Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë dhe e përfaqëson shumë mirë profesionin tonë”.

Guardiola ka fituar më shumë trofe, 28 në total, ndërsa Zidani më pak, por gjithsesi ka arritur në 10 tituj edhe pse ka më pak vjet në profesion. Tekniku katalanas ka bilanci pozitiv ndaj Realit, me 9 fitore, 4 barazime e vetëm 4 humbje, veçse sukseset e tij të fundit janë 8 vjet më parë, në stolin e Barcelonës. Tre ndeshjet e fundit i ka humbje, një me Barçën dhe dy me Bajernin.

Sfidanti.al