Mbreti fiton duelin me “pretendentin e fronit”, sfida Lebron-Uilliamson!

Që kur ai është kthyer nga dëmtimi, Nju Orlinsi duket skuadër tjetër, dhe në 6 ndeshje kishte fituar 5. Në vendin e Hollivudit, në Los Anxhelos, Zion Uilliamson do të duhej të bënte “pelegrinazhin” në shtëpinë e Mbretit të kurorëzuar të basketbollit botëror, Lebron Xhejsit, një vizitë që nxorri disa konkluzione.

Lejkërsat fituan 118-109 në “Stejpëlls Sentër”, ndërsa Mbreti Lebron triumfoi në duelin ndaj “pretendentit të fronit”. Asgjë për t’u habitur këtu, është krejt normale që një lojtar që ka 16 vjet karrierë të jetë më mirë sesa një djalosh me vetëm pak ndeshje përvojë, dhe në moshën 19-vjeçare. Në fund të fundit, diferenca nuk ishte shumë e madhe.

Xhejmsi shënoi 40 pikë, rekordi i sezonit për të, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, po ashtu bllokoi 1 gjuajtje. Uilliamson pati 29 pikë, 6 topa në tabela, 3 asistë dhe 1 vjedhje topi. Ai gaboi 6 nga 19 gjuajtjet e lira, e kjo nuk e lejoi të kalonte shifrën rekord të sezonit, 32 pikë. Ishte Brendon Ingram, më i miri për Nju Orlinsin me 34 pikë, ndërsa Entoni Dejvis për herë të parë nuk shënoi të paktën 40 pikë ndaj ish-ekipit të tij. Ylli i Lejkërsave mbylli ndeshjen me 21 pikë e 14 topa në tabela. Kalifornianët kryesojnë në Perëndim me 44 fitore e 12 humbje, ndërsa Nju Orlinsi pati një ndalesë, por ka shpresë për të mbërritur në plej of.

Sfidanti.al