Ilija Iviç, presion ferri se pranon të luajë për Kosovën, por ai nuk lëkundet!

Është 17 vjeç dhe presioni është ndoshta tepër i madh për moshën. Ilija Iviç, futbollist me prindër serbë i lindur në Graçanicë të Kosovës, është nën trysni të madh pas ftesës së marrë për të qenë pjesë e përfaqësueses së shtetit të tij. Tabloidet e Beogradit nuk kanë lënë asnjë dyshim për opinion e tyre, e padyshim për ndikimin në publikun serb.

“Shpërthen bomba, – shkruan “Blici”, – ai është serbi i parë që do të veshë uniformën e përfaqësueses së futbollit të të ashtuquajturës Kosovë”!

“Turp dhe marre, – titullon “Srbija Danas”, – ky është serbi i parë që luan për përfaqësuesen e shtetit të gënjeshtërt të Kosovës”.

“Çfarë tronditjeje, – është versioni “Kuririt”, – serbi pranontë luajë për përfaqësuesen e të ashtuquajturës Kosovë”.

“Futbollisti që duhet të luajë për Kosovën, shkakton emocione të forta në Serbi, – tregon “Espreso”, – ai nuk duhet ta kishte bërë në asnjë mënyrë këtë, pikërisht tani, ai po përgatitet për në ferr”!

Studioja e Beogradit, e televizionit “N1”, informon se kërcënimet dhe ofendimet nuk kanë munguar as në rrjetet sociale. Gjithsesi, Ilija duket se nuk i jep shumë rëndësi kësaj, ndërsa flet për “N1”-in.

“Presioni është i madh, por unë këtë e kam marrë sportivisht dhe e përballoj nëpërmjet futbollit. Dua që të eci përpara, të tregoj në fushë sesa vlej, dhe që puna ime të vlerësohet. Përsa i përket politikës, në përgjithësi nuk dua që të komentoj. Mendoj thjesht që të eci përpara dhe të luaj futboll. Kaq”.

Këtë gjë duan edhe prindërit e Ilijas, siç e thotë edhe nëna e tij, Tanja, që ka mbetur pa punë. Ajo ka marrë vendimin për largim, nga Qendra Kulturore Arsimore e Graçanicës që është pjesë e sistemit të Serbisë. Jozyrtarisht thuhet se shkaku është pranimi i ftesës nga djali i saj për të luajtur me Kosovën.

“Me të vërtetë e kam pak të vështirë të flas për këtë. Gjithsesi, unë deklaroj se nuk kemi bërë asnjë gabim. Nuk e di se përse më largojnë, dhe përse njerëz të tjerë mund të punojnë në sistemin e institucioneve këtu, ndërsa unë jo. E përsëris se nuk kemi bërë asnjë gabim. Duam të mbështesim maksimalisht djalin tonë. Ky është sport, nuk është politikë”.

Presioni është i madh edhe për Dushanin, babain e Ilijas, që punon si mësues. Ilija Iviç e ka nisur futbollin në klubin e Flamurtarit të Prishtinës, që kur ishte fëmijë i vogël, dhe tani është pjesë e skuadrës së parë. Arbnor Morina, drejtori sportiv i klubit, e vlerëson shumë 17-vjeçarin, edhe si lojtar, edhe si njeri, ndërsa fton që të ngatërrohet sporti me politikën. Siç e thotë Morina, sporti përmban vlera universale, dhe askush nuk mund ta pronësojë.

Sfidanti.al