Mercedes pranon më mirë të humbë miliona, sesa titujt

Thuhet se gjermanët janë kurnacët më të mëdhenj të Europës dhe se nuk ua hedh dot njeri tek paratë. E përforcon këtë imazh edhe mentaliteti i Bundesligës, ku klubet e futbollit zakonisht dalin me fitime dhe nuk kanë asnjë rrezik falimentimi. Gjithsesi, një nga simbolet e Gjermanisë, Mercedes Benci, nuk po i qendron aspak besnik këtyre traditave. E zbulon revista “Formula Monej” (Formula Money – Paratë e Formulës) e cila bën llogarinë dhe i del se skuadra e Formula 1 ka humbur 2.5 milionë euro në vitin 2016, edhe pse i fitoi të dy titujt.

Kampion doli Niko Rosberg, Ljuis Hamilton doli i dyti, ndërsa Mercedesi fitoi edhe titullin për skuadra, por shpenzimet ua kaluan fitimeve. Shifrat janë 325 milionë euro të ardhura, por “harxhet” i kapërcyen ato me 2.5 milionë euro. Gjithsesi, përfundimi është se një kompani gjigande si Daimler Benc (pra Mercedesi) nuk e ka për gjë të humbasë kaq para, ndërsa fiton publicitet në të gjithë botën nga sporti i Formula 1, pra këtë e kthen në fitime të mëdha duke shitur makina nga të katër anët. Ende nuk kanë dalë bilancet për vitin 2017, kur Mercedesi sërish doli kampion i dyfishtë.

Sfidanti.al