Ka shënuar 46 gola në 20 ndeshje, por Klop e quan ekip mbrojtës

Liverpuli më në fund po tregohet një skuadër e denjë për të konkurruar me më të fortët. Edhe pse jo me organikën e Sitit apo Junajtidit, sërish klubi i lavdishëm po lufton dhëmb për dhëmb, të paktën për vendin e dytë (meqë Siti është planet tjetër). Të kuqtë kanë realizuar 46 gola në 20 ndeshje, ekipi i dytë me më shumë rrjeta në Premier Ligë, por gjithsesi trajneri Jurgen Klop ka një mendim origjinal.

“Ne mund të quhemi një ekip mbrojtës, – u shpreh gjermani, duke i habitur të gjithë, – ne i kushtojmë shumë kujdes mbrojtjes, ja për shembull në fushën e Arsenalit luajtëm me skemën 4-5-1, dhe të gjithë lojtarët tanë kanë detyrë që të mbrojnë”. Klop thotë se lojtarët e tij thjesht duhet të mos lejojnë kaq shumë krosime në zonë, dhe kaq shumë gjuajtje pa u penguar sa duhet.

Sidoqoftë, Liverpuli është simboli i futbollit spektakolar, thuajse po aq sa Siti, por pa shpenzimet aq të mëdha të Guardiolës. Ndeshja e fundit në kampionat, ditën e djeshme, u fitua 5-0 në “Anfild” ndaj Suonsit, me rrjeta të shënuar nga Kutinjo, Firmino, Trent Arnold, sërish Firmino dhe Okslejd-Çembërlen.

Skuadra e Klopit ka shënuar gjithsej 70 gola deri tani këtë edicion, vetëm 7 më pak sesa Mançester Siti. Gjithsesi, trajneri gjerman e di se mbrojtja duhet forcuar më shumë. Një nga mënyrat është blerja patjetër e qendërmbrojtësit të Sauthemptonit, Virxhil Van Dajk.

Sfidanti.al