“Dora e rëndë” e Murinjos, gara me Sitin kushton qindra milionë

Zhoze Murinjo ka qenë gjithnjë një trajner që ka shpenzuar shumë. Tek Çelsi, më pak tek Interi, tek Reali, sërish tek Çelsi dhe tani tek Mançester Junajtid, presidentët janë detyruar të pranojnë kërkesat e portugezit, të cilat, ç’është e vërteta, kanë sjellë shumë trofe. Gjithsesi, në “Old Traford”, Murinjo po e ndjen presionin edhe më shumë sesa kur ishte në Madrid tek Reali, kundër Barcelonës së madhe të Mesit.

Ai u ankua se klubi nuk ka shpenzuar sa duhet për të krijuar një skuadër të denjë për titull, kjo pas barazimit 2-2 në shtëpi me Bërnlin. Kjo, pavarësisht se në gusht, tekniku u shpreh se “ndjej se kjo skuadër mund të luftojë për titull”. Tani “muzika” ka ndryshuar. “Të gjithë e dinë se kjo nuk është një nga skuadrat më të mira të botës”, – u shpreh ai.

Gazetarët e ngacmuan duke i thënë se “ju keni shpenzuar 350 milionë euro në 18 muaj”. “Nuk mjaftojnë, nuk mjaftojnë, – ishte përgjigja, – Mançester Siti po blen mbrojtësit me çmimin e sulmuesve. Një klub i madh detyrohet të shpenzojë shumë për vetë historinë që ka, pasi nga ne kërkohet titulli. Jo nga Arsenali, Totenhemi apo Çelsi”.

Murinjo mbrojti lojtarët e tij duke thënë se ata kanë bërë maksimumin, por kanë prishur punë dëmtimet, mungesa e blerjeve sa duhet dhe mungesa e fatit. Junajtid është 12 pikë prapa Sitit në renditjen e Premier Ligës, ndonëse ka luajtur një ndeshje më shumë.

Sfidanti.al