Më shumë se një gol për ndeshje, kush më mirë se Ronaldo?!

Kristiano Ronaldo, edhe pse këtë sezon nuk është në nivelin e mëparshëm, sërish mbetet i jashtëzakonshëm në aftësinë e tij si golshënues. Tek Reali, ai ka shënuar 389 gola në 380 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet zyrtare, duke pasur një mesatare prej më shumë se 1.02 gol për çdo takim. A ka futbollistë të tjerë në historinë e futbollit që kanë luajtur me këtë ritëm golshënuesi, për një klub të vetëm?

Pele thuhet se ka realizuar 1088 gola për Santosin, veçse kësaj ia ka dalë me 1115 ndeshje, pra me mesataren 0.98 gola për ndeshje. Gerd Myler shënoi 566 për Bajernin në 607 takime me mesataren 0.93 dhe po kështu Alfredo Di Stefano tek Reali pati shifrat 307 gola në 396 ndeshje (0.78 gola për ndeshje). Lionel Mesi, me të gjithë karrierën tek Barcelona është në ritmin e 492 golave në 569 ndeshje, dhe me mesataren 0.86 rrjeta për çdo takim.

Gjithsesi, historia njeh disa “përbindësha” të tjerë. Njëri prej tyre është Jozef Bikan, lindur në Vjenë, dhe që luajti për Sllavian e Pragës në vitet 30-të e 40-të. Ai ka arritjen e jashtëzakonshme me 395 gola në 217 ndeshje, pra 1.82 gol për takim. Ai ishte shumë i shpejtë, e bënte 100 metërshin në 10.8 sekonda, dhe shënonte 19 nga 20 rastet që i paraqiteshin. Qindra e mijëra tifozë shkonin në stërvitjen e Sllavias së Pragës për të parë sesi Bikan vendoste shishe bosh mbi traun e portës dhe i godiste me top.

Fernando Pejrotero i Sportingut të Lisbonës (vitet 30-40-të) shënoi 635 gola në 393 ndeshje me mesataren 1.62 rrjetë për takim. Euzebio, legjenda e Portugalisë dhe Benfikës shënoi 474 gola në 440 ndeshje për “shqiponjat” e Lisbonës (1.07), Xhimi Mekgrori i Sëlltikut shënoi 395 gola në 378 ndeshje (1.04) dhe Ferenc Pushkash tek Honvedi shënoi 374 gola në 358 ndeshje (1.04), ndërsa tek Reali ishte vetëm pak më poshtë, me 242 gola për 262 ndeshje.

Sfidanti.al bikaneuzebiopushkash