Mbrëmje “për kornizë” për Kumbullën, “dolli” me gol në debutimin europian!

Në arenën ndërkombëtare kishte shkelur që më parë, falë kombëtares, por me klubet ende nuk e kishte bërë. Me Veronën ishte e vështirë, pasi edhe suksesi në Serinë A ishte gjë e madhe, ndërsa tani me Romën, Marash Kumbulla ka më shumë rast për të treguar veten. Mbrojtësi shqiptar i qendrës ngriti “dolli” me gol në debutimin në kupat kontinentale, duke shënuar rrjetën e fitores për italianët në fushën e Jang Bojsit të Zvicrës. Sfida e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Europës ishte për t’u vendosur në “kornizë”, siç shkruan “Il Korriere delo Sporti”. Ishte minuta e 74-ët dhe Kumbulla realizoi me kokë pas harkimit të saktë të armenit Mkitarian. Më herët, në 69’, Bruno Perez kishte barazuar rezultatin pas topit të marrë nga Edin Xheko. Roma vuajti shumë në pjesën e parë, sepse trajneri Fonseka hodhi në fushë shumë të rinj. Pas pushimit hynë me radhë Spinacola, Xheko, Mkitarian dhe Veretut, duke bërë diferencën, por padyshim bashkë me Kumbullën që luajti 90 minuta.

Sfidanti.al