Interi apo Atalanta, cila prej italianeve ka më shumë shanse në Champions?

Në futboll mund të mos fitosh edhe nëse ke 30 kampionë. Nuk u desh shumë që të vërtetohej kjo aksionë në Champions. Nëse Interi me buxhetin gati 350 milionë euro dhe me tabelën e rrogave prej 150 milionë eurosh, nuk ia del, këtë e bën Atalanta, që është disa herë më e varfër. Milanezët e trajnerit Konte u detyruan të ndaleshin në “San Siro” ndaj gjermanëve të Borusias së Mynshengladbahut, në një barazim zhgënjyes 2-2. Edhe pse italianët luajtën më mirë dhe meritonin fitoren, sërish kjo nuk u arrit dhe presioni shtohet mbi Konten pas humbjes edhe në derbin ndaj Milanit.

“Çfarë fati që është Lukaku, – është komenti i “La Gazeta delo Sportit”, – Romelu shpëton Interin, bomber shënon dy gola vendimtarë”.  Për Atalantën, gazeta milaneze shkruan: “Ja sërish Europa, shfaqet përsëri Atalanta që na bën ta dashurojmë”. “Il Korriere delo Sport” shton presionin mbi teknikun interist: “Konte, atmosferë e keqe, Lukaku nuk mjafton, dhe të martën në Ukrainë nuk duhet të humbasë! Atalanta, çfarë spektakli, poker i “DEA”-s në Danimarkë, shënojnë që të katër sulmuesit”.

“Padyshim që nuk kam asnjë arsye të qortoj lojtarët përsa i përket përkushtimit dhe guximit, – pohoi tekniku zikaltër, – mendoj se krijuam shumë raste, patëm shumë aksione, dhe është mëkat që jemi duke folur për një barazim, sepse unë nuk kujtoj ndonjë gjuajtje të Borusias në portën tonë. Portieri ynë bëri vetëm një pritje, një gol ishte me penallti, një me kundërsulm. Nuk dua të flas për fatin, por ndoshta na duhet pak fat”.

Atalanta ndërkaq duket në realitet tjetër. Pak ditë më parë, agjencia gjermane, “Dojçe Vele” theksonte se klubi nga Bergamo ka vetëm 30 milionë euro rroga, pesë herë më pak se Interi, por sërish po shkëlqen. Pasi vjet arriti çerekfinalet në Champions, sezonin e filloi me një fitore 4-0 në Danimarkë ndaj Mitjulandit.

“Një ndeshje dhe një rezultat shumë i mirë, – theksoi Gasperini, – aq më tepër në një grup që pritet të jetë i vështirë. Ishte thelbësore të fitonim ndeshjen e parë, por nuk ishte e lehtë, sepse kundërshtari vrapoi shumë. Falë cilësive të lojtarëve tanë, gjërat u bënë më të thjeshta. Reshjet e shiut na penguan mjaft, por sërish ia dolëm”.

Sfidanti.al