A mund të shkarkohet Zidan nëse Reali humb El Klasikon?

Tifozët dyshojnë se do të jetë pikërisht kështu, ndërsa nëpër media po “thuren” skenarët e përhershëm duke nxjerrë në horizont të tillë si Alegrin apo Poçetinon. E vërtetë është që Zinedin Zidan pësoi një tronditje të madhe pas humbjes së Realit në Champions ndaj Shahtarit, aq sa po pyetet nëse ai do t’i mbijetojë një disfate këtë të shtunë ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”.

Plot 59 për qind e tifozëve që votuan në sondazhin e gazetës “Marka” ishin të mendimit se Zizuja luan postin nëse humb El Klasikon, ndonëse vetëm 27 për qind e tyre e cilësuan trajnerin fajtor për situatën, ndërsa 62 për qind ia vunë fajin futbollistëve. Mediat spanjolle shkruajnë se presidenti Florentino Perez zbriti në dhomën e zhveshjes së ekipit, dhe foli për disa minuta me skuadrën, me tone kritike.

Komentet mediatike ishin shumë kritike dhe të ashpra. “Marka” e Madridit shkruan: “Çdo ditë e më keq! Madridi në rënie të lirë, ndërsa të shtunën është Barça! Një tjetër paraqitje qesharake, pjesa e parë e të bardhëve ishte për t’u harruar! Gazeta “AS”: “Të skuqur nga turpi! Madridi bie përballë një Shahtari që luajti me rezervat, pas një pjese të parë katastrofike! Zidani pranon përgjegjësinë e tij”.

Sfidanti.al