Hysaj dhe kontrata tek Napoli, do fitojë dëshira e Gatuzos apo “tavani” i pagave?!

Vlerësimi për të është maksimal. Elseid Hysaj është në pozita krejt të tjera tek Napoli me trajnerin Xhenaro Gatuzo, duke lënë pas kohën për t’u harruar me Karlo Ançelotin, veçse jo gjithçka po shkon vaj. Edhe pse Gatuzo e ka vlerësuar si të domosdoshëm për skemat e tij, dhe për karakterin luftarak në fushën e lojës, sërish mediat italiane shkruajnë se rinovimi i kontraës me mbrojtësin shqiptar nuk është diçka që do të ndodhë automatikisht.

Besohet se problem është aspekti ekonomik, pra rroga, pasi kapiteni i kombëtares shqiptare kërkon 3 milionë euro rrogë në sezon, për një kontratë 5-vjeçare, ndërsa klubi nuk pranon. Për momentin, Hysaj fiton 1.6 milionë euro në sezon, i cili sipas propozimit të Napolit mund të arrijë në 2 milionë apo edhe 2.5 milionë bashkë me shpëërblimet e ndryshme. Gatuzo, ndërkaq, nxit drejtuesit që të rinovojnë me 26-vjeçarin, që i jep garanci mbrojtjes së skuadrës me përkushtimin e tij, pavarësisht ndonjë mangësie teknike.

Kontrata e tij përfundon verën e ardhshme pra nuk ka shumë kohë për të humbur. Ekziston mundësia që Hysaj të kalojë në janar tek Roma, ku do të gjente shokun e tij në kombëtare, mbrojtësin 20-vjeçar, Marash Kumbulla.

Sfidanti.al