Liverpuli dhe Shaqiri me “7 shpirtra”, Siti i paralajmëruar

Nuk ishte nga sfidat më të lehta, por kur një ekip e ka mbledhur mendjen për diçka, ia del ta përballojë. Liverpuli është i bindur se ky është sezoni i duhur për të fituar titullin e parë që nga viti 1990, dhe vendosmëria për të mos dështuar u tregua qartë në stadiumin “Tërf Mur” të Bërnlit. Edhe pse u luajt ndaj skuadrës së parafundit në renditjen e Premier Ligës, sërish deri në minutën e 69-të, dueli ishte në barazim, rezultat që do të kishte qenë një dhuratë për Mançester Sitin.

Të besuarit e trajnerit Klop nuk u pajtuan me këtë. Pasi Kork shënoi në 54’, erdhi një reagim i fortë dhe fillimisht Milner (62’) e pastaj Firmino (69’) sollën përmbysjen. Klop kishte lënë në stol Mohamed Salahun, për t’i dhënë pak shlodhje, por u detyrua ta hidhte në fushë egjiptianin në minutën e 65-të, pasi punët nuk po shkonin mirë. Jo vetëm kaq, por Mane nuk luajti asnjë minutë, ndërsa Firmino hyri në lojë në minutën e 66-të).

Në fund, drama ishte e plotë pas, fillimisht portieri Alison bëri pritjen e ndeshjes, dhe nisi menjëherë lojën, në aksionin Salah-Shaqiri, të cilin shqiptari i Zvicrës e ktheu në gol. Pas 15 javësh Premier Ligë, Liverpuli ka 39 pikë ndaj 41 të Sitit, duke qenë dy ekipet e vetëm të pathyer në kampionat.

Sfidanti.al