Kur Mesi është në formë, Barcelona është e frikshme, sidomos me treshen MSG!

Ajo që po ndodh në Katalonjë nuk ndikoi dot për keq, përkundrazi. Barcelona u duk shumë më e motivuar se zakonisht, dhe me gjasë deshi t’i jepte një mesazh popullit katalanas me një ndeshje të shkëlqyer në stadiumin e Eibarit. Ka protesta në qytet kundër drejtësisë spanjolle, që dënoi me burgime të gjata disa politikanë pro pavarësisë, dhe pas mbështetjes publike nga klubi, ja ku erdhi edhe ajo në fushë.

Skuadra e trajnerit Ernesto Valverde, e kritikuar ashpër gjatë këtyre javëve, u duk në formë të madhe, besohet për shkak të nivelit të Lionel Mesit. Superylli argjentinas duket se e ka marrë veten plotësisht nga dëmtimi, duke qenë strumbullari i lojës, veçse tifozët katalanas mund të ndihen të lumtur edhe sepse po funksionon treshja e sulmit. Ajo që mbiquhet MSG, e përbërë nga Mesi, Suarez dhe Grizman.

Ky i fundit shënoi golin e parë, kapiteni të dytin dhe uruguajani të tretin për triumfin e pastër 3-0, me të cilin Barça u ngjit në kuotën e 19 pikëve në 9 ndeshje, me 23 gola të shënuar. Gjithsesi, Barcelona në fushën e Eibarit nuk ishte vetëm Mesi, as vetëm treshja MSG. Përkundrazi, më i miri në fushë u cilësua mesfushori holandez, De Jong, i ndjekur nga braziliani Artur.

Sfidanti.al