Nuk mjaftojnë shtyllat, Brazili kthen Mesin sërish në shtëpi!

Futbolli dihet, fitohet nga ata që shënojnë golat, jo nga ata që godasin shtyllat. Të ishte ndryshe, Shqipëria do ta kishte mundur Gjeorgjinë (për shembull) në fillim të viteve 90-të, kur rrahu tri herë shtyllat, por pësoi një gol, ndërsa këtë herë ishte Brazili që realizoi dy rrjeta, ndaj dy shtyllave të goditura nga Argjentina. Përfundoi 2-0 gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës në stadiumin e Belo Horizontes, me tifozët vendas që u lumturuan për finalen e arritur, dhe me Lionel Mesin që regjistroi një tjetër dështim me kombëtaren.

Ashtu siç parashikohej, brazilianët ishin pak më lart, duke pasur autorë golash Gabriel Zhezusin dhe Roberto Firminon, pra sulmuesit që luajnë në Angli me Mançester Sitin dhe Liverpulin. Aguero e Mesi iu afruan golit për Argjentinën, por u ndalën pikërisht nga trarët e portës së Alisonit. Ndeshja ishte tepër e ashpër, në prani të 56 000 spektatorëve, siç pritej nga duele të tillë të Kupës së Amerikës, ndërsa u morën plot 7 kartonë të verdhë, por jo të kuq. Pesë lojtarë të paralajmëruar ishin argjentinas: Taliafiko, Akunja, Fojth, Lautaro Martinez, Aguero, ndërsa dy brazilianë. Argjentina luftoi shumë, sidomos në pjesën e dytë, por nuk pati edhe fat, dhe Mesit do t’i duhet të presë moshën 34-vjeçare për të synuar titullin me kombëtaren, në Botëror.

Sfidanti.al