Teuta mbetet mace e zezë e Tiranës, por ç’po ndodh me Kukësin?

Nëse nuk mjaftuan fitoret e vjetshme në kampionat, në finalen e Kupës dhe në atë të Superkupës, ja ku erdhi edhe një provë tjetër. Teuta është me të vërtetë një kundërshtar i pakalueshëm së fundmi për Tiranën, duke e mundur 1-0 ekipin kampion në duelin e Superligës. Kryeqytetasit luajtën sërish larg shtëpisë, ndonëse ishte ndeshje brenda, por ndërsa ndaj Kukësit triumfuan 2-0, këtë herë dështuan. Një gol i Lorenco Vilës me kokë në pjesën e parë vendosi sfidën e luajtur në Pogradec, ndërsa nuk mund të thuhet se skuadra e trajnerit Emanuel Egbo pati epërsi.

Rastet ishin për të dyja palët, në të dyja pjesët, ndërsa durrsakët shfrytëzuan më së miri praninë e Dejvi Bregut të marrë këtë vit nga Skënderbeu. Kjo ishte humbja e parë për kampionët dhe fitorja e parë e durrsakëve të trajnerit Edi Martini, por gjithsesi pas javës së dytë të Superligës më keq i ka punët Kukësi.

Nënkampionët u mundën për herë të dytë në kampionat, dhe sërish duke pësuar 2 gola e duke mos shënuar asnjë. Një Partizan që nuk bindi edhe aq kundër Kastriotit, këmbënguli më shumë dhe mori fitoren në pjesën e dytë. Kardozo në 60’ dhe Solomon në minutën e parafundit ishin autorët e golave për ekipin e trajnerit Ilir Daja që la pas krizën e momentit.

Në ndeshjet e tjera, pati dy barazime, 1-1 mes Laçit e Kastriotit në Kurbin, që mund të quhej edhe një derbi i zonës, si dhe 2-2 mes Apolonisë e Bylisit në Fier, gjithashtu një derbi i rrethit të Fierit.

Sfidanti.al