Nuk do ta gjejnë më këtë kundërshtar në një gjendje më të vështirë se kaq. Lacio ishte katandisur si mos më keq për shkak të koronavirusit, me treshen Strakosha-Imobile-Lukas Levia në izolim, por sërish ia doli të merrte barazimin ndaj Juventusit në “Olimpiko”. Sfida e hershme e së dielës në Serinë A përfundoi 1-1 dhe për kampionët nuk mjaftoi goli i të përhershmit Kristiano Ronaldo në pjesën e parë.
Portugezi realizoi në minutën e 15-të, por pastaj doli i dëmtuar nga loja kur kishin mbetur edhe 14 minuta deri në përfundim. Në fushë hyri “hallemadhi” Paulo Dibala, veçse më shumë prishi punë largimi i CR7-ës. Pikërisht në minutën e 5-të shtesë, skuadra e trajnerit Inzagi barazoi rezultatin me anë të Felipe Kaisedos. Një dështim i rëndë për Juven, duke pasur parasysh sesi shkoi ndeshja, ndërsa tani rrezikon të mbetet edhe më pas nga rivalët. Milani është në krye të renditjes me tri pikë më shumë sesa torinezët dhe mund të shkëputet edhe më shumë. Për Pirlon gjërat nuk po shkojnë shumë mirë në kampionat, ndonëse rruga është ende shumë e gjatë.
Sfidanti.al