Mungesat dhe nervat “vrasin” Partizanin, Kukësi fiton si kampion në Tiranë

Kukësi arriti rezultatin më të bujshëm të javës së 20-të të Superligë shqiptare, duke fituar ndaj Partizanit në kryeqytet. Kampionët ia dolën me përmbysje duke triumfuar me shifrat 3-1 në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe duke qenë në pozicion shumë të favorshëm për t’u kualifikuar të paktën për në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.

Partizani luajti pa 4-5 lojtarë kryesorë dhe pa trajnerin Starova që është i pezulluar dhe i ndjeu këto mungesa. Gjithsesi, vendasit kaluan të parët në avantazh me golin e shënuar nga mbrojtësi boshnjak, Gojkoviç, por nuk e mbajtën epërsinë deri në fund.

Pas pushimit, Kukësi i trajnerit Peter Pakult, u tregua më i fortë duke barazuar fillimisht me anë të sulmuesit Guri dhe duke përmbysur rezultatin me autor goli Rustem Hoxhën. Në minutat e fundit shtesë, kuksianët shënuan edhe golin e tretë sërish me Gurin. Pas kësaj fitoreje, Kukësi është në vendin e tretë me 32 pikë, ndërsa Partizani vetëm i gjashti me 28.

Sfidanti.al