Egbo, katër fitore në 4 ndeshje me Tiranën, shpresohet që presidentit të mos i bëjnë magji!

A thua është gjetur çelësi i suksesit në “Selman Stërmasi” apo do të duhet të pritet për ta kuptuar më mirë? Ndoshta po, ndoshta jo, por ajo që mund të pohohet është që Tirana ka ndryshuar totalisht që kur në stol është ulur Emanuel Egbo. Një lloj “Skënder Gege” bardheblu, ish-portieri, me sa duket, ka ditur të krijojë harmoni në ekip, me komunikimin me lojtarët, kulturën aspak të vogël për një futbollist dhe aftësitë drejtuese gjatë ndeshjeve.

Pas suksesit 2-1 ndaj Bylisit në “Selman Stërmasi” Tirana është vetëm 1 pikë larg kreut, pra larg Kukësit, duke kaluar në renditje pikërisht skuadrën mallakastriote. Mund të quhet fitore me fat, pasi goli i sulmuesit Ngo u shënua vetëm në minutën e fundit, pak a shumë siç ndodhi në derbi, por duhet thënë se tiranasit ishin më pranë tripikëshit, duke krijuar më shumë raste për shënim.

Bylisi dhe trajneri Dovedan protestuan sidomos për golin e Ngosë duke e quajtur të parregullt sepse topi u prek me dorë sipas tyre në zonë, por gjyqtari Jorgji e cilësoi të rregullt. Po ashtu, Bylisi pretendoi për 11-metërsh, por Jorgji gjykoi ndryshe, ndërsa miqtë mbetën me 10 vetë kur Mëlluga doli me të kuqe në 74. Tirana ka 31 pikë pas 18 javësh, ndaj 32 të Kukësit dhe 30 të Bylisit.

Sfidanti.al