Goli i falur i Kukësit dhe një rregullore që u recitua si të ishte “Lahuta e Malcis”

Java e 20 e Kategorisë Superiore prodhoi rezultate vërtetë interesante, të cilat bënë lëvizje të rëndësishme në tabelën e klasifikimit, por ne gjithnjë do të na ndodhi diçka deri në kufinjtë e së habitshmes, për të na devijuar vëmendjen nga analiza e lojës së skuadrave. Pas një goli të Muratajt, i shënuar në mungesë respekti për kundërshtarin e dëmtuar përpara syve të tij, drejtuesit e Partizanit vendosën t’i falnin një gol Kukësit. Dhe këtu u fokusua i gjithë debati për ndeshjen më të rëndësishme të javës. Të gjithë tentuan të servirnin opinione speciale, duke iu referuar një rregulloreje që e kishin në mendje, apo që iu gjend në duar, si dhe në përfundim vendosën, se sa kartona duhet të nxirrte arbitri, i cili në ato momente ishte njeriu më i shushatur i fushës. Ndërkohë që nga ekranet dhe rrjetet sociale iu bë thirrje publikut që t’i refuzonin me përbuzje ato dy gola që në fakt nuk sollën asgjë, veçse eleminuan njëri-tjetrin. Në të vërtetë, gjatë të gjithë kësaj kohe ka ekzistuar një problem jo i vogël për njerëzit e mediave, të cilët në prag të kësaj ndeshje duhet të ndjeheshin edhe më të ofenduar për trajtimin që i bëhet. Prej javësh janë vendosur heshtje shtypi, që nuk tregojnë tjetër, veçse një arrogancë diletantësh. Te Tirana i gjen gjithmonë portat e mbyllura me një dry të kuq, ndërkohë që edhe pothuajse të gjithë të tjerët kujdesen për ta mbajtur gjithçka të fshehtë, për hir të konfidencialitetit të varianteve të tyre taktike. Ndërsa foto ilustruese tregon seancat e fundit stërvitore të Partizanit dhe Kukësit, zhvilluar pothuajse në të njëjtin orar dhe që bindën të gjithë, se me këtë infrastrukturë, trajnerët tanë nuk kanë kujt t’i mbajnë sekrete, përveç se nuk duan njerëz nëpër këmbë.

Kampionët e Tiranës, nga pjesmarrja në Champions dhe më pas në Europa League, kohë kur i numëronin se sa para fitonte Refik Halili pas çdo ndeshje, tani ka mundësi që ta kalojë verën te “Qyteti i Nxënësve”, pasi ndodhen 10 pikë larg nga vendi i katërt. Por, optimistët vazhdojnë ta shohin kupën gjysmë-plot, pasi shpërndanë në eter lajmin e bujshëm që u shit Muçi dhe klubi fitoi 500 mijë euro. Ndërkohë që flitet për një nga talentët më të spikatur, nxjerrë vitet e fundit nga akademitë tona dhe vetëm situata jo shumë e shëndetshme financiare duhet ta ketë detyruar Halilin të nxitohej, për të mos pritur një ofertë më të mirë në merkaton e verës, aq më shumë kur flitet për një sulmues, i cili nuk i ka mbushur ende 20 vjeç.

Kryesuesit e  Vllaznisë kanë filluar të mos ndjehen më supermakina e Superiores, madje në të kundërt, i janë shfaqur në pasqyra kundërshtarët. Ndërsa Brdariç po fillon të ndjejë pasojat, pasi fillimisht i është ulur ndjeshëm numri i ftesave për të vizituar studiot televizive. Këto mbase janë shumë në një javë të vetme, duke e krahasuar me këmbënguljes së çfarë duhet të bënte arbitri Cjapi me golat e Muratajt dhe Limajt, apo tentativa për të recituar pjesë të një rregullore, si të ishte “Lahuta e Malcis”.