Rregulla ballkanike: Kur nuk fiton, u kërkon falje ultrasve!

Portieri i Partizanit të Beogradit, Vladimir Stojkoviç, portier i përfaqësueses së Serbisë, shkoi dhe u kërkoi falje liderëve të tifozëve ultras “Grobari” (varrmihësit) mbas barazimit në fushën e vet me ekipin modest Napredak të Krushevcit.
Partizani, edhe një herë tjetër, i zhgënjeu keq tifozët e vet që janë shumë të zemëruar, sepse Crvena Zvezda, rivalja kryesore e ekipit bardhezi, që kryeson tabelën e klasifikimit të Superligës serbe, po shkëputet gjithnjë e më shumë, duke u bërë gati e pakapshme për Partizanin.
Mbas fiaskos së fundit me Napredakut, shumica e futbollistëve të Partizanit iu drejtua dhomës së zhveshjes, duke i bërë edhe më të pakënaqur tifozët “Grobari” dhe duke ua hequr atyre mundësinë që “ta përshëndesnin” lojën e “bukur” të beniaminëve të vet. Në fakt, lojtarët e Partizanit bënë një gabim të madh, sepse nuk i përshëndetën tifozët e tyre, por morën menjëherë rrugën për në dhomën e zhveshjes.
Portieri Stojkoviç iu afrua dhe iu kërkoi falje tifozëve të Partizanit për lojën e dobët dhe për faktin se bashkëlojtarët e tij ikën pa i përshëndetur tifozët e vet. Mbas bisedës te gardhi i fushës, Stojkoviçi u duartrokit edhe nga tifozët me ultras të Partizanit. Dhe ky është një rregull i pashkruar në Ballkan: kur bën lojra të këqia, duhet të shkosh dhe të kërkosh falje te tifozët e tu, madje të dëgjosh kokulur edhe të shara!
Sfidanti.al