Barça fituesja e vetme, Ajaksi mrekullon me Juven, por vetëm barazon

Skuadra më favorite e mbrëmjes ishte fituesja e vetme, por skuadra më e bukur e së mërkurës së Championsit nuk mundi të fitonte. Barcelona triumfoi minimalisht në “Old Traford”, duke hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinaleve, veçse Ajaksi nuk e mundi dot Juventusin ndonëse shkëlqeu në Amsterdam.

Mançester Junajtid nuk regjistroi asnjë gjuajtje në kuadrat gjatë 90 e ca minutave përballë katalanasve, diçka që nuk mund të thuhet se i bën nder skuadrës së trajnerit Ole Gunar Solskjer, por edhe Barça nuk është se luajti ndonjë ndeshje të madhe. E nisi shkëlqyeshëm, dhe shënoi pas një kombinimi Mesi-Suarez që detyroi Ljuk Shoun të shkaktonte autogol. Më pas, e uli ritmin dhe u përpoq të kontrollonte lojën me “tiki takën” e saj tashmë spekulative.

Junajtid e ka shumë të qartë sesa e vështirë do të jetë në “Kamp Nou” përballë ekipit që quhet favorit për të fituar Championsin, por këtë sezon ka mundësi të marrë zemër nga dy precedentë, fitorja në grup 2-1 në fushën e Juventusit, pasi u mund 0-1 në shtëpi nga italianët, dhe kualifikimi ndaj Paris SG me fitoren 3-1 në Francë, ndërsa në “Old Traford” u mposht 0-2. A thua do të ndodhë përsëri? Vetëm po e lejuan Mesi dhe shokët e tij.

Në “Johan Krujf Arena” u luajt, ndërkaq, futbolli i vërtetë, dhe kjo për meritë të Ajaksit, edhe pse Juventusi u përpoq t’i përgjigjej me nivelin dhe përvojën e tij. Ajaksi i sotëm duket sikur ka dalë nga epokat e viteve 70-të, 80-të apo 90-të, kur fitonte Championset apo trofe të tjerë në Europë. Vetëm mungesa e përvojës bëri që të mos fitonte, ndonëse mbajti topin 58 për qind, gjuajtjet ishin 17 gjithsej dhe 6 në kuadrat (Juvja 7/1) dhe pasimet ishin 577 ndaj 391. Italianët do të kenë avantazh në fushën e tyre, pasi kanë dalë 1-1 në Holandë, pas golave të shënuar nga Ronaldo në 45’ dhe Neres në 46’.

Sfidanti.al