Zhoze Murinjo mund Guardiolën për blerjet, ka rekordin 1.5 miliardë euro!

Në histori hyri përfundimisht me një konferencë shtypi. Zhoze Murinjo kishte fituar trofe me Porton, por të pavdekshëm e bënë fjalët e prezantimit tek Çelsi. “Ju lutem mos më quani arrogant, por po them të vërtetën, jam kampion i Europës, pra them se unë jam i veçantë”. Portugezi edhe sot e kësaj dite është i veçantë, madje më i veçanti, kur vjen puna për shpenzimet në transferime.

Ai është numri 1 i trajnerëve në histori me shifrën e jashtëzakonshme prej 1.5 miliarë eurove gjatë një karriere të nisur seriozisht në vitin 2002 tek Porto, dhe të vazhduar me Çelsin, Interin, Realin e Madridit, sërish Çelsin, Mançester Junajtidin dhe tani Totenhemin. Murinjo lë pas në vend të dytë, Pep Guardiolën që ka shpenzuar gati 1.2 miliardë euro për transferime, ndonëse duhet thënë se katalanasi ka 4 vjet karrierë më pak sesa rivali i tij.

Blerja më e shtrenjtë e “të veçantit” mbetet ajo e Pol Pogbasë, që e mori nga Juventusi tek Mançester Junajtidi për 105 milionë euro, duke qenë në atë kohë rekord botëror. Transferim tjetër i shtrenjtë ishte Romelu Lukaku që mbërriti po tek Mançester Junajtidi për 85 milionë euro, ndonëse tani ndodhet tek Interi në Serinë A.

Tek Çelsi, ai nuk kurseu aspak, ndonëse në vitet 2004-2007 shifrat ishin shumë më të ulëta se sot. Ai i dha 44 milionë euro Milanit për legjendën ukrainase Andrij Shevçenko. Po ashtu, pagoi 38.5 milionë euro kartonin e Didie Drogbasë tek Marseja, duke e kthyer në legjendë të Çelsit, ndërsa blerje e goditur ishte ajo e mesfushorit Mikael Esien për 38 milionë euro.

Zhoze Murinjo ka fituar 25 trofe të rëndësishëm në karrierë, përfshi 2 Champions dhe 8 tituj kampion në Portugali, Angli, Itali e Spanjë. Gjithsesi, kanë qenë tituj shumë të shtrenjtë, përderisa “I veçanti” i ka paguar 1.5 miliardë euro.

Sfidanti.al