Ronaldo lumturon dhe mërzit Sarrin, trajneri ka qortime për portugezin!

Populli thotë “kali i kuq e ka një huq”. i tillë edhe një futbollist tepër i talentuar si Kristiano Ronaldo, protagonist absolut i fitores tepër të rëndësishme të Juventusit ndaj Parmës në Serinë A. Trajneri Mauricio Sarri shpesh acarohet me të, gjykon se egoizimi i portugezit prish skemat e menduara dhe të djersitura gjatë javës, por në fund detyrohet të mbyllë gojën. Çfarë mund të bëjë kur ndeshja fitohet 2-1 dhe të dy golat i shënon CR7-ta? Fitorja bëri edhe që Juveja të shkëputet 4 pikë nga Interi i vendit të dytë, duke pasur 51 pikë në 20 javë.

“Gjithçka duhet të sillet rrotull tij, – tha Sarri, gjysmë me kritikë, e gjysmë me shaka, – por, është vendimtar. Ronaldo është klas botëror, të krijon një shqetësim, por të zgjidh 100 probleme. Përsa i përket ndeshjes, nuk ishte më e mira për ne, por mund ta kishim mbyllur më shpejt”.

Nuk është se pati ndonjë konflikt apo përplasje të hapur, në fund të fundit kështu është ky sport, dhe për një yll të madh, për më tepër për një golshënues, egoizmi duhet të cilësohet virtyt, jo ves. Kjo, edhe kur Kristiano është me fat, dhe realizon, por edhe kur individualizmi i tij i prish punë skuadrës, pasi nuk pason tek shoku i pozicionuar më mirë. Ronaldo ka tani 11 gola në 7 ndeshjet e fundit, pra ka mbërritur formën e dikurshme të Realit, edhe pse është 34 vjeç.

“La Gazeta delo Sport” bën lavde: “CR bën 7 dhe mirupafshim! Dygolësh dhe shënim për 7 ndeshje radhazi! Shkëputja e parë falë Ronaldos, me fitoren ndaj Parmës! Juve në arrati, +4! Inter, duhet Erikseni!

Ja dhe “Il Korriere delo Sport”: Arratiset! Dopio CR7, mundet Parma dhe Juvja ngjitet në +4 ndaj Interit, që detyrohet të barazojë në Leçe!

Sidoqoftë, jo gjithçka ishte pozitive te kampionët në fuqi, dhe loja la për të dëshiruar. Siç e thekson “La Gazeta”, pavarësisht dëshirës së trajnerit për të dhënë spektakël e për të fituar bindshëm, huqet tradicionalë nuk hiqen lehtë. “Bukuria e përjetshme e një goli diferencë, – shkruan ajo, – Juve e re, fitore të vjetra! Skuadra ka 75 për qind të fitoreve 1-0, 2-1 apo 4-3!  Një sinjal vazhdimësie e veçantë që nga koha e Alegrit! Me gjasë, edhe drejtuesit në tribunë nuk duhet të kenë mbetur të kënaqur, pasi ata kërkojnë që Juventusi të jetë një emër global. Ndoshta dalë nga dalë edhe do t’ia dalin.

Sfidanti.al