Nuk dihet nëse do ta lenë të punojë deri në fund, dhe nëse do të ketë sukses. Kike Setien ishte shumë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë dhe pasigurinë në rolin e madh të trajnerit të Barcelonës, por me siguri iu lut fatit që ta ndihmonte të paktën ta niste me fitore. Fillimi i mirë, gjysma e punës, dhe pasardhësi i Ernesto Valverdes ia doli edhe pse me shumë vështirësi, në një ndeshje që normalisht duhej të ishte fituar shumë më thjesht.
Gjithsesi, edhe ndaj Granadës i ke këmbët si të këputura kur sapo është larguar një trajner, dhe ka ardhur një i ri. Lionel Mesi, njeriu i zakonshëm, nxorri ekipin nga telashet, me një gol të vonshëm në minutën e 76-të. Po ashtu, Setien dhe katalanasit u ndihmuan nga kartoni i kuq i dhënë për Herman Sançezin e miqve, 7 minuta para sesa Mesi të realizonte.
“Pashë shumë gjëra të Barçës që dua, – u shpreh tekniku, – edhe pse në këtë skuadër nuk ka shumë për të ndryshuar. Ekipi ka luajtur gjithnjë shumë mirë, edhe kur ka humbur. Në fund, gjithsesi, ai që të qetëson është Mesi”.
“Setien me 8 lojtarë të La Masisë në ditën e debutimit, – titullon gazeta katalanase, “El Mundo Deportivo”, – trajneri pati 6 të Akademisë në formacion”. Ata ishin Mesi, Sergi Roberto, Buskets, Pike, Zhordi Alba, Ansu Fati, Riki Puig dhe Karles Perez. Gazeta “Marka” thekson se skuadra e Setienit bëri 1 005 pasime gjithsej, duke qenë kjo ndeshja e tretë me më shumë pasime në historinë e Barçës, pas dy sfidave të mëparshme të Guardiolës. Po ashtu, “Marka” vlerëson zotërimin e topit 82 për qind nga vendasit, e treta ndeshje më dominuese në La Liga prej 15 vjetësh.
Në tërësi, një ndeshje edhe e mirë, por edhe e vështirë. Nuk thonë kot, derisa të arrish të ndryshosh, të takon të vuash. Barcelona kaloi pengesën e parë, duke mbajtur kreun e La Ligës spanjolle me 43 pikë, po aq sa Reali, ndonëse e ardhmja ende duket e paqartë.
Sfidanti.al