Yjet po “varrosin” rikthimin e Premier Ligës, klubet 48 orë kohë për t’i bindur!

Po i nxisin fort që të kthehen. Futbollistët e Premier Ligës angleze kanë marrë sinjale nga drejtuesit e klubeve, madje edhe nga autoritetet shtetërore, se duhet të rinisin stërvitjet, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur për t’u përfunduar sezoni. Gjithsesi, yjet janë shprehur kundër, të paktën një pjesë e madhe e tyre.

Mediat britanike bëjnë me dijë se rreth 25 për qind e lojtarëve nuk janë dakord që ndeshjet të fillojnë përsëri, duke u shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të familjeve, ndërsa epidemia e koronavirusit vazhdon të jetë një rrezik. Për këtë arsye, lajmet janë që klubet do të zhvillojnë videokonferenca sqaruese me futbollistët gjatë këtyre 48 orëve, për t’i bindur se çdo gjë do të jetë nën kontroll.

Sidoqoftë, gjithçka mund të dështojë dhe ish-lojtari i Mançester Junajtidit, Geri Nevil, sot analist televiziv, u shpreh për Skaj Sportin se Premier Liga duhet të mendojë për një fillim në korrik, pikërisht për shkak të kundërshtimit të lojtarëve. Kapitenët kanë zhvilluar bisedime me njëri-tjetrin pikërisht për të rezistuar ndaj rifillimit, ndërsa qendrimin më të ashpër e mbajti mbrojtësi i Njukasëllit, Deni Rouz, i huazuar nga Totenhemi. “As nuk dua të di fare për moralin e kombit, – është shprehur ai nëpërmjet skajpit, – kryesore është që të mos rrezikojmë shëndetin e familjeve tona”.

Premier Liga angleze është shumë më prapa me planet e saj sesa Bundesliga gjermane, madje edhe se La Liga e Spanjës apo Seria A, sepse skuadrat nuk kanë nisur të stërviten. Në Britaninë e madhe deri tani ka pasur mbi 223 000 raste koronavirusi, dhe mbi 32 000 vdekje. Presidentët e klubeve, ndërkaq, shqetësohen se humbjet financiare mund të arrijnë deri në 1 miliardë paundë stërlina, ndërsa refuzojnë që të luajnë ndeshjet në fusha asnjanëse, për shkak të kontratave që kanë me sponsorët në stadiumet e tyre.

Sfidanti.al