Xhejms Harden është “The Special” i NBA-së, pas rekordit me 60 pikë!

E vërtetoi që është një nga më të veçantët. Xhejms Harden u bë i pari basketbollist në historinë e NBA-së që shënon 60 pikë ndërsa realizon një tripëll dabëll. Kapiteni i Hjustonit kaloi ndoshta edhe mundësitë e veta, apo u ngjit në nivele të papara më parë, ndërsa ishte i papërmbajtshëm në suksesin 114-107 ndaj Orlandos. Arena e Hjustonit ishte një sasi e jashtëzakonshme entuziazmi dhe emocionesh, me 20 000 spektatorë që ndoqën të mrekulluar paraqitjen e yllit të tyre.

Harden shënoi 60 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 11 pasime për kosh, të cilave u shtoi edhe 4 vjedhje topi si dhe një bllokim gjuajtjeje të kundërshtarëve. Rekordi i mëparshëm i NBA-së ishte ai i 57 pikëve të shënuara në një tripëll dabëll, vendosur nga Rasëll Uestbruk. Basketbollistët e Orlandos nuk mundën për asnjë moment të gjenin mënyrën për ta ndalur yllin e mbiquajtur “Mjekra”, ndërsa Harden bëri të mos ndihej mungesa e disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit.

Vendasit luajtën pa Kris Polin dhe Trevor Arizën, që të dy të dëmtuar, ndërsa lëndim në ndeshje e sipër pësoi edhe Erik Gordoni. Me 60 pikët e shënuara, Harden vendosi edhe rekordin e sezonit, që mbahej më parë nga Lebron Xhejms me 57. Po ashtu, kapiteni i Hjustonit u bë shënuesi më i mirë i edicionit me 1327 pikë, duke lënë në vend të dytë pikërisht Lebron Xhejmsin.

Së fundi, ai është edhe basketbollisti me mesataren më të lartë të pikëve në 2017-2018, me 31.6 pikë për ndeshje deri tani, ndërsa Hjustoni është në të njëjtin nivel me Golden Stejtin kampion në Konferencën Perëndimore, duke pasur synime serioze për të fituar titullin.

Sfidanti.al