Volejboll për meshkuj: Italia kthehet në majë të botës pas 24 vitesh!

 

Nuk ishte e lehtë në këtë atmosferë. Finalja e Kampionatit Botëror të volejbollit të meshkujve u luajt në Arenën e Katovicës në Poloni, por as prania e 10 000 tifozëve që mbështetën ekipin e tyre nuk e ndaloi dot Italinë. Të kaltrit fituan titullin botëror duke mundur 3-1 Poloninë vendase, madje me përmbysje, dhe u kthyen në çatinë e rruzullit pas plot 24 viteve. Brezi i dikurshëm i Andrea Xhanit, Gravinës, Gardinit apo De Xhorxhit, tashmë ka trashëgimtarët e denjë. Polakët fituan setin e parë 25-22, por pastaj erdhi reagimi i italianëve që i morën setet e tjerë radhazi 25-21, 25-18 e 25-20, pra me diferencë. Lojtarë si Lavia, Mikieleto, Romano, Ancani, Galasi apo Xhaneli ishin në nivel të lartë, në sulm në bllok dhe në shërbim, duke bërë diferencën. Për polakët nuk mjaftuan të tillë si Semeniuk, Shlivka apo Bieniek. Xhaneli i Italisë u shpall më i miri i Botërorit.

Trajneri Ferdinando De Xhorxhi, yll i brezit që fitoi titullin në 1998, ishte tepër i lumtur. “Kemi bërë diçka që i afrohet të jashtëzakonshmes, – tha ai, – nuk dua ta ekzagjeroj, por është pikërisht kështu. Ndryshimi ka qenë i madh dhe këta djem ishin të shkëlqyer. Për këtë arsye jam shumë i lumtur, dhe jo vetëm për fitoren, por edhe për faktin se besimi im te këta lojtarë u justifikua plotësisht. Jemi mbështetur prej kohësh tek ata sepse janë të veçantë”. Ky ishte titulli i 4-ët i të kaltërve, që lanë pas Brazilin e Poloninë me nga 3, ndërsa përpara tyre mbetet vetëm ish-Bashkimi Sovjetik me 6.

Sfidanti.al