Bonuçi dhe Alegri tregojnë arbitrin me gisht, mediat kritikojnë sulmin e Juventusit!

I cilësuan dy pikë të humbura dhe akuzuan ata që morën vendimet, edhe pse u përpoqën të mos flisnin keq për gjyqtarët. Leonardo Bonuçi dhe trajneri Masimiliano Alegri folën për ndalimin e padrejtë të Juventusit në ndeshjen e Serisë A ndaj Salernitanës (2-2). “Pozicioni im nuk ndikontë aspak, nëse bazohesh tek rregullorja, – tha kapiteni, – nuk shqetësoja as portierin dhe askënd. Për fat të keq ishte një gabim i rëndësishëm i arbitrit që ndryshon një ndeshje dhe janë dy pikë të lëna rrugës”.

“Për respekt të arbitrave nuk dua të flas për ta, – tha trajneri Alegri, – duhen lënë të punojnë të qetë. Arbitri drejtoi shumë mirë, por për fat të keq, me episodin e fundit nuk na lejoi të fitonim ndeshjen”.

“Sherr për VAR, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – zemërim i Juves. Përmbyset bota pas anulimit të golit për 3-2, që u duk i rregullt!”

“Juve, kjo është një çmenduri, – shkruan “Tutosporti” i Torinos, – nuk vlen përmbysja me forcën e dëshpërimit. Anulohet goli i Bonuçit që nuk pengonte askënd!”

Nuk dihet nëse rekordmenët e titujve duhet më shumë të zemërohen që pësojnë golat, apo të kënaqen për reagimin. Pati kritika për sulmin bardhezi, pasi mediat theksojnë se Vlahoviç nuk po shënon, Kean po dështon dhe vetëm Miliku nuk mjafton. Juventusi ka 10 pikë me vetëm 2 fitore, 4 pikë prapa Napolit, Atalantës e Milanit.

Sfidanti.al