Usain Bolt nuk dëshiron ta mbyllë karrierën, një “britmë” për Murinjon!

Njihet nga e gjithë bota ndjenja e thellë e Usain Boltit për Mançester Junajtidin. Sprintieri më i madh i historisë e ka sjellë edhe një herë në vëmendje këtë dashuri, kur ka folur për planet e tij të së ardhmes. Me shaka, me të vërtetë, apo përgjysmë, Bolt u shpreh se do të donte të vishte një herë në jetë fanelën e “djajve të kuq”. “Mendoj se Zhoze Murinjo po pret fundin e afatit të transferimeve për të bërë një ofertë, – tha vërtet duke qeshur kampioni i trefishtë olimpik i sprintit të 100 e 200 metrave, – gjithkush e di se unë po flas për futboll, gjithçka është e hapur dhe unë po pres një telefonatë”. Këtë fundjavë, Bolt i jep fund karrierës në atletikë, duke synuar titullin e katërt botëror, dhe duke lënë trashëgiminë e rekordeve të 100 metrave (9”58) dhe të 200 metrave (19”19), ndërsa ka besim se shpejtësia e tij dhe stërvitja e fortë do ta bëjnë të denjë edhe për Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al