E nisi nga Porto! Pasi u përshëndosh me shokët e tij tek Barcelona, dhe mori përqafimin dhe urimin e Lionel Mesit, Nejmar Zhunior, e la kryeqendrën katalanase për të shkuar në …Porto. Pritej të shkonte në Paris, por i ra “nga Kina”, më saktë nga Portugalia. Në qendrën mjekësore të Portos, ai kaloi vizitën mjekësore nën kujdesin e drejtorit sportiv të Paris SG, Antero Henrike, një portugez.
Transferimi i tij do të jetë “biznesi i shekullit”, ndonëse pritet që ky shekull të zgjasë vetëm pak vjet, derisa të fillojë një tjetër, me biznes më të madh. Barcelona do të marrë 222 milionë euro, apo ndoshta edhe më shumë (pritet çdo të ndodhë me Verratin), Nejmar do të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare me rrogë 666 000 euro në javë, pas taksave, ndërsa pritet të marrë edhe një shpërblim tjetër të madh prej 50 milionë eurosh (u bënë eurot si gurët e lumit). Në total, sipas mediave, PSG pritet të shpenzojë 442 milionë euro për krejt transferimin e Nejmarit.
Të shohim se kush do të dalë i fituar, edhe pse me reklamën e fuqishme mediatike, Nejmar pritet të japë fitime të mëdha për parizienët, ndërsa Barcelona kishte kohë që mendonte për ta larguar. Arsyeja kryesore ishte jeta e tij “e shthurur”, jetë nate me festime në prani të yjeve të tillë si Ljuis Hamilton apo Xhastin Biber.
Sfidanti.al