UEFA në hall, duhen 300 milionë euro për të mbuluar humbjet!

Zhvendosja e një turneu të tillë ka kosto të mëdha. UEFA duket se i ka bërë llogaritë e saj dhe ka nxjerrë përfundimin se do të duhen 300 milionë euro për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga shtyrja e Kampionatit Europian të futbollit. Mediat ndërkombëtare njoftojnë se kjo është shuma që UEFA do t’u kërkojë klubeve dhe ligave në Europë për të përballuar zhvendosjen me një vit të Euro 2020. Nuk është e qartë se përse do të përdoret kjo shumë, por kuptohet që me shtyrjen e Europianit shkelen shumë kontrata.

Turneu i madh ka shumë sponsorë, dhe po ashtu ishte bërë prenotimi i hoteleve në 12 qytete të kontinentit, ishin nënshkruar kontrata me kompani sigurimi dhe ato që do të bënin furnizimin për ekipet pjesëmarrëse. Prioritet në të gjitha vendet ka përfundimi i kampionateve kombëtare, sidomos i pesë ligave kryesore në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani e Francë, që kanë interesa të mëdha financiare. Po ashtu, duhet përfunduar Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës, ndërsa shtyrja e Europianit do të ndikojë edhe në ndeshjet e Ligës së Kombeve. E tillë është situata pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit.

Sfidanti.al