Tuhelit nuk i mjafton humbja e Çelsit, duhet të merret me … të dashurën e Abrahamit

Le të mos përsërisim shprehjen franceze “cherchez la femme”, pra që fajin e ka gjithmonë femra. Nuk është kështu, padyshim, por ndonjëherë krijohen momente delikate, kur një vajzë del kundër një trajneri apo një klubi futbolli për të qenë në krah të të dashurit. Kështu bëri në mënyrë të pafajshme, edhe pse aspak profesionale, e dashura e Tami Abrahamit, djaloshit të ri të Çelsit. Lia Monro (Leah Monroe) e zbrazi në Instagram mërzitinë dhe zemërimin e saj që njeriu i zemrës nuk ishte as në stol për finalen e Kupës së Anglisë, Çelsi-Leister. “Si mundet që të merret një vendim i tillë që shënuesi më i mirë të lihet jashtë ekipit për finalen?, – shkruajti ajo, – i njëjti person që shënoi golin që e kualifikoi ekipin për në finale”. Abraham është shënuesi më i mirë i Çelsit këtë sezon me 12 gola, por të rinjtë nuk e kanë pasur të lehtë me Tomas Tuhelin, i cili ka përkrahur “gardën e vjetër”, ndryshe nga ish-trajneri Frenk Lampard. Më pas, Lia e fshiu postimin, ndoshta sipas këshillimit të të dashurit, por faktet janë kokëforte, ndërsa Çelsi e humbi finalen 0-1 me Leisterin në “Uembli”.

Sfidanti.al