Përballë është Milani. Përkundër është historia e rivalit të sotëm të Shkëndisë së Tetovës. Shtatë herë kampionë të Europës, fitues i 18 trofeve të mëdhenj europianë e botërorë, i lënë pas vetëm nga Reali i Madridit.
Djemtë shqiptarë, dhe ata të kombësive të tjera, bashkë me stafin teknik dhe krejt delegacionin e Shkëndisë mbërritën në Milano për të luajtur ndeshjen më të rëndësishme të jetës. Si për të kujtuar diferencën, ata kaluan në aeroportin e Malpensës, nga porta jo Shengen, si qytetarë jashtë Bashkimit Europian.
Autobusi i bukur kaloi nëpër rrugët e qytetit të famshëm të Italisë, ndërsa Shkëndija vizitoi shtëpinë e Milanit. Një tur jo edhe aq i shkurtër, ku tetovarët panë videot e triumfeve të mëdhenj kuqezi. Po ashtu edhe kabinetin e jashtëzakonshëm të trofeve. Më në fund, edhe në “San Siron” e famshëm. Futbollistët kaluan nëpër koridoret që kanë parë yjet më të mëdhenj të futbollit për 90 vjet me radhë.
Trajneri Qatip Osmani drejtoi skuadrën në seancën e veçantë stërvitore përpara ndeshjes së plej ofit të Ligës së Europës, por që Shkëndija e zhvilloi si cilëndo tjetër më parë, aspak e sugjestionuar, por e përqëndruar tek objektivi. Problemi i vetëm, mungesa e sulmuesit Zhunior të pezulluar. Osmani besohet se do të luajë me skemën tashmë klasike 4-2-3-1.
Trajneri tregohet sfidues në konferencën për shtyp. “Në ndeshje të tilla me dy ndeshje, natyrisht që hyjmë në fushë për fitore, por do të ishim të kënaqur edhe me një humbje minimale, duke shënuar gol, – u shpreh ai, – është e qartë se do të jemi të kujdesshëm, por nuk do të luajmë vetëm në mbrojtje”.
Edhe kapiteni Hasani duket i sigurt. “Ne nuk kemi ardhur këtu për miqësore, – tha lojtari, – ne do të luajmë për të nderuar veten, klubin dhe tifozët, dhe për të siguruar një rezultat sa më pozitiv për ndeshjen e kthimit, që të synojmë kualifikimin”.
Milani, nuk ka asnjë diskutim, se është stërfavorit. Edhe pse jo si në epokat e lavdishme, sërish formacioni italian është tepër i madh dhe i fortë. Pas suksesit ndaj rumunëve të Universitateas së Krajovës, me dy fitore, ekipi mund të ketë vetëm një synim, fazën e grupeve. Gjithçka tjetër do të quhej dështim, ndërsa trajneri Montela vlerëson lart Shkëndinë.
“Sigurisht, Shkëndija ka më shumë ndeshje zyrtare sesa ne, deri tani, – tha Montela, – Kanë kaluar 3 ture në Europë, së fundmi mundën edhe kampionen e Maqedonisë. E kam një ide edhe për lojën e tyre, kanë lojtarë të talentuar dhe të rrezikshëm në sulm. Shkëndija është skuadër mjaft europiane, dhe është pranë nivelit tonë taktikisht. Gjithsesi, ne duhet të shohim lojën tonë, dhe besoj se varemi nga këmbët tona për të arritur objektivin tonë, kualifikimin”.
Stadiumi “San Siro” pritet që të ketë një numër të madh spektatorësh sonte në orën 20:45, mes të cilëve edhe mjaft shqiptarë që kanë shkuar me 17 autobusë në Milano. Për Milanin, në fushë mendohet se do jenë edhe blerjet e rëndësishme, Bonuçi e Silva.