Bayerni ‘blindon’ Olise-n me klauzolë 200 milionë euro

Bayerni i Mynihut po përgatit një lëvizje të fortë për të mbajtur larg interesimin e Real Madridit për Michael Olise-n. Sipas gazetarit Christian Falk të “Bild”, klubi bavarez është i gatshëm të përfshijë një klauzolë largimi prej 200 milionë eurosh në kontratën e re të sulmuesit francez.

Kjo do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Bayernit, pasi klubi gjerman tradicionalisht ka qenë i rezervuar ndaj vendosjes së klauzolave të tilla në kontratat e futbollistëve. Megjithatë, situata e Olises dhe interesimi i klubeve të mëdha duket se kanë ndryshuar qëndrimin e drejtuesve.

Shuma prej 200 milionë eurosh do të ishte një pengesë e madhe për çdo klub që do të tentonte ta transferonte 24-vjeçarin nga “Allianz Arena”. Bayern synon të mbyllë sa më shpejt një marrëveshje të re dhe afatgjatë me lojtarin, veçanërisht pas raportimeve gjatë verës për interesimin e Real Madridit. Olise ka forcuar ndjeshëm pozitat e tij edhe me paraqitjet e fundit me Francën. Në ciklin e ri të drejtuar nga Zinedine Zidane, sulmuesi ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy asistime në katër ndeshje.

Tani ai pritet të rikthehet tek Bayern për të vazhduar formën e mirë edhe në Bundesligë. Paraqitjet e tij të ardhshme mund të ndikojnë gjithashtu në negociatat për kontratën e re.

Nëse marrëveshja realizohet me klauzolën prej 200 milionë eurosh, Real Madrid dhe çdo klub tjetër i interesuar do të përballet me një çmim jashtëzakonisht të lartë për të siguruar shërbimet e Olise-s.