Tradita mund të rrezikohet, por vazhdon të mbahet gjallë. Pas kampionëve të mëdhenj si Erkand Qerimaj, Briken Calja dhe Evangjeli Veli, peshëngritja shqiptare mund të ndihet e sigurt me brezin më të ri. Kjo u tregua qartë në Kampionatin Europian për moshën deri 15 vjeç ku shtangisti shqiptar, Ertjan Kofsha, dominoi kategorinë e tij deri në 89 kg. Adoleshenti nga Shtërmeni triumfoi plotësisht në këtë peshë duke marrë të treja medaljet e arta.
Kampioni i radhës i trajnerit të njohur Leonard Toska, fitoi në stilin e shkëputjes me 140 kg, po ashtu doli i pari në stilin e shtytjes me 168 kg dhe meritoi medaljen e artë në dygarësh me 308 kg. Kjo e bën kampion absolut të Europës për moshën dhe peshën e tij. Padyshim që Kofsha pritet të jetë përfaqësues i madh i peshëngritjes shqiptare në të ardhmen, kur të mbushë moshën për të konkurruar në kategoritë për të rritur, në kampionatet europiane, botërore dhe në lojrat olimpike. Vlen të theksohet se kampioni 15-vjeçar ka trajner Toskën, i cili ka stërvitur edhe të shquarin Briken Calja. Kombëtarja shqiptare e përfundon Europianin U15 me 6 medalje pasi sportistja tjetër, Enkileda Carja fitoi 3 të bronzta.
Sfidanti.al