Totenhemi i Kontes e ka “magjistarin”, quhet Harri Kejn

Në karrierë ka mbi 300 gola dhe është një nga lojtarët aktivë që ka shënuar më shumë. Harri Kejn e tregoi edhe një herë vlerën e tij të madhe për Totenhemin, duke shënuar të dy golat në fitoren 2-0 në fushën e vështirë të Notingemit, edhe pse skuadra vendase luftoi fort dhe e vuri në vështirësi ekipin mik të trajnerit Antonio Konte. Kejn humbi edhe një penallti, por gjithsesi u barazua me Endi Koulin në vendin e tretë të shënuesve më të mirë të Premier Ligës për të gjitha kohët me 187 rrjeta. Vetëm Uejn Runi me 208 dhe Alan Shirer me 260 janë mbi të, veç kapiteni i Anglisë ka mesatare më të mirë, pasi i ka shënuar 187 golat në vetëm 286 ndeshje. Me gjasë, nëse do të vazhdojë në Angli, do ta thyejë rekordin e Shirerit. Ai ka 4 gola në 4 ndeshje, dy më pak se Halandi dhe duket se do të ketë betejë për Këpucën e Artë. Totenhemi është i pathyer dhe ka 10 pikë, po aq sa Man. Siti e Brajtoni e 2 pikë prapa Arsenalit që ka arritur 4 fitore deri tani.

Sfidanti.al