Tifozët i hidhen në fyt Mançester Junajtidit: Jeni bërë të turpshëm!

Çfarë duhet të jetë pra një klub modern futbolli? Dilema mbetet nëse fitoret e trofeve apo të parave janë më të rëndësishme në kohën që po jetojmë, por tek Mançester Junajtidi tifozëve u ka ardhur në majë të hundës. Zemërimi shpërtheu pas kualifikimit të mundimshëm në Kupën e Ligës ndaj Roçdejlit të kategorisë së tretë. Edhe pse u luajt në “Old Traford”, edhe pse rivali ishte modest, sërish skuadrës së Ole Gunar Solskjerit iu deshën penalltitë për të kaluar në raundin e katërt.

“Ky klub është bërë i turpshëm, dhe na ka shqetësuar thellë, – shkruajtën tifozët në rrjetet sociale, – nuk pati asgjë për t’u krenuar nga kjo ndeshje. Paraqitje skandaloze”. Tifozë të tjerë sulmuan pronarët e klubit, pjesëtarët e familjes amerikane Glejzër që, sipas tyre, e kanë mendjen tek përfitimi dhe jo tek suksesi. Po ashtu, u sulmua zv. shefi ekzekutiv Ed Udord, dhe u mbështet trajneri Solskjer dhe ish-trajneri Murinjo.

Talenti i ri Mejzën Grinvud kaloi Junajtidin në epërsi, por Roçdejli nuk u dorëzua. Përballë djemve të rinj të zgjedhur nga Solskjeri, kundërshtari pati një adoleshent si 16-vjeçari Ljuk Metison, që barazoi shifrat. Penalltitë ishin në favor të “djajve të kuq”, por kualifikimi nuk solli ndonjë gëzim të madh në stadiumin “Old Traford”.

“Duket se ne jemi më të mirë kur gjuajmë penalltitë sesa kur luajmë futboll, – ishte humori i hidhur i trajnerit norvegjez, – ata që ishin në fushë mund të kishin bërë më shumë, nuk mund të jenë të kënaqur me paraqitjen”.

Junajtid është 10 pikë prapa kreut në Premier Ligë dhe nuk pritet  të konkurrojë për titull. Në kontrast me të, Liverpuli e Çelsi i fituan ndeshjet e tyre, edhe pse luajtën gjithashtu me djem të rinj. Kampionët e Europës triumfuan 2-0 në fushën e Milton Kejns Donsit, ndërsa Blutë e Londrës mposhtën 7-1 Grimsbin në “Stemford Brixh”.

Sfidanti.al