Ai nuk ka dëshirë të hyjë në diskutim për konfliktin e presidentit Hënes me Federatën. Karl-Hajnc Rumenige synon të merret me diçka tjetër, dhe Bajerni është kaq i madh saqë punë ka plot për shefin ekzekutiv. Revista “Sport Bild” citon fjalët e tij lidhur me politikën bavareze me talentet e rinj. “Duam që ata të luajnë në kategorinë e tretë, – tha “Kalle”, – pasi atje niveli është shumë më i lartë sesa në ligën rajonale të Bavarisë. Ata duhet të luajnë vazhdimisht dhe në një nivel të caktuar. Të tillë si Alfonso Dejvis, Mikael Kuisons apo Fite Arp”.
Në dhjetor 2021, Rumenige i jep fund detyrës dhe pasardhës i tij në “Alianc Arena” do të jetë legjenda tjetër, Oliver Kahn. “Tranzicioni do të jetë i butë, – siguron ish-kampioni i Europës si lojtar, – e kam takuar Kahnin disa herë dhe ai duhet të jetë i qetë për këtë. Thjesht, duhet që ai ta kuptojë sërish se çfarë është Bajerni, sepse ka ndryshuar që kur ai u largua. Do t’i jap “stafetën” në 31 dhjetor 2021”.
Rumenige flet për ndryshimin e madh të Bajernit dhe të futbollit si biznes, dhe këtë e konfirmojnë shifrat më të fundit të botuara nga klubi. Xhiroja vjetore arriti në 750.4 milionë euro, ndërsa fitimet në 52.5 milionë euro. Këto shifra janë një rekord për Bajernin dhe për futbollin gjerman.
Sfidanti.al