Pezullimi nuk e lejoi që të ishte pjesë e luftës dhe e festës. Taulant Xhaka, luftëtari i kombëtares shqiptare, e ndoqi nga tribuna mrekullinë që Bazeli realizoi ndaj Mançester Junajtidit, duke e mundur skuadrën e madhe angleze në Ligën e Kampionëve. Një gol i shënuar në minutën e parafundit nga Lang zgjidhi një përballje që mund të kishte përfunduar ndryshe, dhe ku skuadra e Zhoze Murinjos mund të thuhet se nuk pati as fat.
Dy herë Junajtid goditi shtyllat e portës vendase, ndërsa krijoi edhe disa raste të tjera, por do të ishte justifikim i kotë nëse disfata do t’i mvishej vetëm mungesës së fatit. Gazeta zvicerane, “Blik”, me të drejtë theksonte se përballë ishin “miu” me “elefantin”, një skuadër e Bazelit me vlerë tregu 55 milionë euro, dhe një gjigand i Europës, lojtarët e të cilit vlejnë gati 700 milionë euro (690 për saktësi).
Zhoze Murinjo pati në fushë lojtarë shumë të mirë si Darmian, Smolling, Roho, Ander Herrera, Felaini, Rashford (pas pushimit), Pogba (Matiç në vend të tij), Marsial, Lukaku si dhe Zllatan Ibrahimoviçin të aktivizuar në 74’. Asgjë nuk i bëri punë dhe Mançester Junajtid ende do të duhet ta fitojë kualifikimin që nuk e ka arritur ende. Bazeli, ndërkaq, me këtë fitore, është shumë pranë kalimit të turit pasi ndodhet në vend të dytë mbi CSKA-në e Moskës, me bilanc më të mirë në ndeshjet direkte. Një tjetër shqiptar nuk arriti të luante për zviceranët, Albian Ajeti, që u mbajt në stol.
Sfidanti.al