Juve dhe Valencia, Barça me Mesin në stol e dy kunguj në një sqetull

Lionel Mesi hyri në fushë vetëm në minutën e 56-të për Barcelonën në përballjen e Championsit në fushën e Juventusit. Trajneri Ernesto Valverde kishte menduar edhe ta linte për fare pushim argjentinasin, pasi në fundjavë luhet sfida e kreut në La Liga, në Valencia, por gjithsesi, ai e kurseu jo pak argjentinasin.

Valverde ia arriti qëllimit, edhe pse loja e Barçës nuk ishte nga ato më të shkëlqyerat. Katalanasit hodhën në pjesën e dytë edhe Zhordi Albën, ndërsa ata që ishin titullarë si Pike, Ymtiti, Semedo, Buskets, Rakitiç, Iniesta apo Luis Suarez u përpoqën të ruanin energjitë duke qarkulluar sa më gjatë topin. Në përfundim, barazim 0-0, lojtarë jo të lodhur, 66 për qind mbajtje topi dhe kualifikim për në fazën tjetër.

Juventusit, gjithashtu pika i bëri punë edhe pse nuk i dha kualifikimin. Do të duhet ta fitojë javën e fundit, kur do të shkojë në fushën e Olimpiakosit dhe do të ketë një mendje në përballjen e Barcelonës me Sportingun e Lisbonës në “Kamp Nou”. Nëse katalanasit marrin të paktën një pikë, Juvja kualifikohet edhe duke humbur, pasi i ka më mirë ndeshjet direkte (2-1, 1-1).

Skuadra tjetër e Spanjës, Atletiko e Madridit, pati një reagim të madh ndaj Romës, duke triumfuar 2-0 në “Uanda Metropolitana”. Gjithsesi, suksesi i arritur me golat e Antuan Grizmanit dhe Kevin Gameiros mund të mos i mjaftojë të besuarve të trajnerit Simeone, pasi ata mbeten 2 pikë prapa italianëve në renditje, në vendin e tretë.

Ndeshjen e fundit e kanë në fushën e Çelsit, që është kualifikuar, por nuk e ka siguruar ende vendin e parë në grupin C. Roma nga ana e saj, ka një përballje të pranueshme në stadiumin “Olimpiko” ndaj Karabakut që është i eleminuar dhe nuk ka shpresë as për në Ligën e Europës. Kampionia e Azerbajxhanit pësoi një humbje të rëndë në fushën e saj nga Çelsi, me shifrat 4-0, dëmtuar edhe nga kartoni i kuq i Sadigovit. Hazar (penallti), Uillian, Fabregas (penallti) dhe sërish Uillian ishin autorët e golave për anglezët e Kontes. Azerët e Ansi Agollit, gjithsesi, do të mbajnë mend dy pikët e marra në debutim, me barazimet 0-0 në fushën e tyre me Romën, dhe 1-1 në Madrid me Atletikon.

Sfidanti.al