Idhulli i Rashfordit dikur – një portier!

Më 25 shkurt 2016, në “qiellin e futbollit u shfaq një yll i ri”! Një tinejxher, pothuajse i panjohur, u ngjit në skenën e madhe të futbollit me dy golat që shënoi në një konkurrim të rëndësishëm evropian. Atë natë, “lindi” një yll i ri i Mançester Junajtidit dhe ai ishte Markus Rashford. Në vazhdim, ky futbollist i ri i talentuar nisi “ta gdhëndë” me sukses emrin e tij në këtë klub mançesteras dhe, tani, është bërë beniamin i tifozëve të “djajve të kuq”.

Rashfordi vjen nga akademia e futbollit “Fleçer Mos Renxhers” e Mançesterit, me ekipin e së cilës ai ka luajtur gjatë shtatë viteve me radhë, por jo gjithnjë në pozicionin e sulmuesit. “Gjatë sezonit të parë në Fleçer Mos, unë luajta si portier. Kur bën pritje të mira, eksitimi është njëlloj më atë, kur shënon gola. Unë kam pasur si idhull Tim Hauardin, të cilit unë i kam marrë edhe bluzën. Një ditë, do t’i marr edhe dorezat”, i tha Rashfordi gazetës “Sunday Times”.

Rashfordi është një nga shumë lojtarët e akademisë “Fleçer Mos Renxhers” që kanë dalë në skenën e madhe të futbollit. Krahas këtij futbollisti që është bërë pjesë e pandarë e Junajtidit dhe e përfaqësueses së Anglisë, nga kjo akademi kanë dalë Uellbek, Braun, Bleket, Lingard, etj.

Sfidanti.al